Shoqata e Matematikanëve të Kosovës në bashkëpunim me shoqatën “AniMath” nga Franca do ta organizojnë kampin përgatitor EGMO – IMO 2020, nga data 06-11 prill 2020.
Kampi përgatitor EGMO – IMO 2020 do t’i grumbullojë rreth 15 nxënës të cilët janë pjesë e Ekipit të Kosovës në EGMO 2020 dhe IMO 2020. Në kamp do të marrin pjesë edhe dy nxënëse nga Shqipëria të cilat janë pjesë e Ekipit të Shqipërisë në EGMO 2020. Po ashtu, pjesëmarrës në kamp do të jenë edhe dy nxënësit fitues në KAMO 2020.
Nxënësit do të takohen çdo ditë nga ora 9:00–16:00 me dy ligjeruesë, studentë doktorature nga Franca. Nxënësve pjesëmarrës do t’u ofrohet mundësia që t’i avancojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre në fushat e olimpiadave, duke u sfiduar me probleme interesante, në një ambient tejet miqësor. Kampi është pa pagesë dhe me rastin e përfundimit të suksesshëm të trajnimeve secili nxënës do të pajiset me certifikatë.
Të gjithë pjesëmarrësit do të akomodohen, në konviktin ndërkombëtar, në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, nga data 06.04.2020 deri më 11.04.2020. Të gjithë pjesëmarrësit, gjatë qëndrimit në konvikte dhe në trajnime, do të shërbehen me ushqim (mëngjes, drekë dhe darkë).
Kampi mbështet nga AniMath (Paris), Instituti ATOMI, Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Qendra e Studentëve në Prishtinë.
Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e falënderon ambasadorin e Kosovës në Francë, profesorin Qëndrim Gashi për ndihmën e dhënë për ta realizuar këtë bashkëpunim me shoqatën “AniMath” nga Franca.