Ju informojmë se më 02 mars 2019, e shtunë, në ora 10:15, do të mbahet Olimpiada XI Matematike e Kosovës (OMK). Nga kjo garë do të caktohen përfaqësuesit e Kosovës në Olimpiadën e 60-të Ndërkombëtare të Matematikës (IMO), e cila mbahet në Bath, Mbretërinë e Bashkuar (United Kingdom), prej 11 – 22 korrik 2019, ku Kosova merr pjesë për herë të nëntë në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota.
Olimpiada në Kosovë mbahet për nxënësit e klasave të 9-ta, 10-ta, 11-ta, dhe të 12-ta. Në Olimpiadën Matematike të Kosovës marrin pjesë të gjitha vendet e para dhe të dyta të klasave të 9- ta, 10-ta, 11-ta, dhe të 12-ta, të të gjitha komunave të vogla. Nga qendrat rajonale (Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj) marrin pjesë të gjitha vendet e para, të dyta dhe të treta (d.m.th. nga tre nxënës nga secila klasë). Nga Prishtina marrin pjesë vendet e para, të dyta, të treta dhe të katërta. Gjimnazi i Specializuar i Matematikës, si gjimnaz i veçantë dhe nacional organizon gara të brendshme dhe merr pjesë me 4 vendet e para për secilën kategori.
Përfaqësuesit (garuesit) e secilës shkollë përzgjedhen në Olimpiadat Matematike Shkollore të cilat mbahen jo më vonë se më 16 shkurt 2019. Përgjegjës për planifikimin, organizimin, mbështetjen financiare dhe menaxhimin e olimpiadave matematike shkollore do të jenë Drejtoritë Komunale të Arsimit.
Përfaqësuesit (garuesit) e secilës komunë përzgjedhen në Olimpiadat Matematike Komunale që mbahen në tërë Kosovën, më 23 shkurt 2019 në orarin 11:00-13:00.
Komunat ftohen që listën e nxënësve të përzgjedhur për Olimpiadën Matematike të Kosovës ta dërgojnë, në adresën elektronike të shoqatës (shoqata.matematikaneve@gmail.com), jo më vonë se
më 28 shkurt 2019. Testet e OMK-së do të bazohen në standardin e arritshmërisë së gjimnazit, drejtimi shkencor, të klasës përkatëse si dhe në testet e ngjashme të Olimpiadës Ndërkombëtare të Matematikës.
Olimpiada XI Matematike e Kosovës do të mbahet në Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë (Rr. Tahir Zajmi, Nr. 65, Kalabri). Drejtoria e këtij gjimnazi ka shprehur gatishmërinë për sigurimin e lokaleve dhe kushteve të nevojshme teknike për mbajtjen e OMK-së.
Secila drejtori komunale e arsimit duhet ta caktojë një person përgjegjës për organizimin e Olimpiadës Matematike Komunale, pastaj të dhënat e personit përgjegjës (emrin, mbiemrin, numrin e telefonit celular ose fiks dhe e-malin) duhet t’i dërgojë te kryetari i Shoqatës së Matematikaneve, Dr. Armend Shabani (e-mail. armend.shabani@uni-pr.edu) (jo më vonë se 20 shkurt).
Secila komunë organizimin e Olimpiadës Matematike Komunale duhet ta bëjë në koordinim me Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës. Shoqata është përgjegjëse për përpilimin e testeve të olimpiadave komunale. Për formën, formatin dhe mënyrën e koordinimit ndërmjet Shoqatës dhe Drejtorive Komunale të Arsimit do t’i informojmë personat përgjegjës të caktuar nga drejtoritë komunale të arsimit.
Më poshtë është orari i datave të rëndësishme.
Datat e rëndësishme:
16 shkurt 2019 – data e fundit për të organizuar garat në shkolla
23 shkurt 2019 – garat në komuna
28 shkurt 2019 – data e fundit për të dërguar emrat e garuesëve nga komunat (kontakti:
armend.shabani@uni-pr.edu
02 mars 2019 – OMK – 2019 në Prishtinë (Në lokalet e Gjimnazit të Specializuar
Matematikor, në ora 10:15).
09 mars 2019 – Testi për Përzgjedhjen e Ekipit (TST) në Prishtinë (Në lokalet e Gjimnazit të
Specializuar Matematikor, në ora 10:00).