OLIMPIADA XIX MATEMATIKE E KOSOVËS – OMK 2027
Ju njoftojmë se më 16 janar 2027, e shtunë, në orën 11:00, në hapësirat e Fakulteteve Teknike, në Universitetin e Prishtinës, do të mbahet Olimpiada e 19-të Matematike e Kosovës – OMK 2027.
Nga Olimpiada Matematike e Kosovës përzgjidhen ekipet që do ta përfaqësojnë shtetin e Kosovës në këto olimpiada:
– Olimpiada e 68-të Matematike Ndërkombëtare – IMO 2027, e cila do të mbahet në Budapest, Hungari, prej datës 16.07.2027 deri më datën 26.07.2027, në të cilën ekipi ynë përfaqësues përbëhet nga 6 nxënës.
– Olimpiada e 2-të Matematike Evropiane – EMO 2027, e cila do të mbahet në Prishtinë, Kosovë, prej datës 23.04.2027 deri më datën 29.04.2027, në të cilën Kosova, si shtet nikoqir, do të përfaqësohet nga dy ekipe me nga 6 nxënës.
– Olimpiada e 16-të Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2027, e cila do të mbahet në Shibenik, Kroaci, prej datës 11.04.2027 deri më datën 17.04.2027, në të cilën ekipi ynë përfaqësues përbëhet nga 4 nxënëse.
Po ashtu, nga Olimpiada Matematike e Kosovës do të përzgjidhen nxënësit nga klasat VII, VIII dhe IX që do të përfaqësojnë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 8-të Matematike Kosovë-Shqipëri (KAMO 2027), e cila do të mbahet në Shqipëri.
Olimpiada Matematike e Kosovës mbahet për nxënësit e klasave të 7-ta, 8-ta, 9-ta, 10-ta, 11-ta, dhe të 12-ta. Të drejtë pjesëmarrjeje në Olimpiadën Matematike të Kosovës kanë:
– Nxënësit që kualifikohen përmes Olimpiadës Matematike Komunale 2027.
– Nxënësit që kanë qenë pjesë e ekipit të Kosovës në IMO 2026, EMO 2026 ose EGMO 2026.
– Nxënësit që kanë fituar medalje në Olimpiadën Matematike Kosovë-Shqipëri 2026.
– Nxënësit që paraprakisht kanë fituar medalje në IGO ose çmim në EMC.
– Nxënësit e përzgjedhur në garën Kangaroo 2026.
Olimpiada Matematike Komunale
Përfaqësuesit (garuesit) e secilës komunë përzgjidhen në Olimpiadat Matematike Komunale që mbahen në tërë Kosovën, më 5 dhjetor 2026, në orarin 11:00-13:00. Në Olimpiadën Matematike të Kosovës marrin pjesë të gjitha vendet e para dhe të dyta të klasave të 7-ta, 8-ta, 9-ta, 10-ta, 11-ta, dhe të 12-ta, të të gjitha komunave të Kosovës. Nga qendrat rajonale (Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj) marrin pjesë të gjitha vendet e para, të dyta dhe të treta (domethënë nga tre nxënës nga secila klasë). Nga Prishtina, si komuna me numër më të madh të banorëve, marrin pjesë 6 vendet e para për secilën klasë.
Secila shkollë për secilën kategori ka të drejtë t’i dërgojë së paku 4 nxënës në Olimpiadën Komunale. Përfaqësuesit (garuesit) e secilës shkollë përzgjidhen në Olimpiadat Matematike Shkollore të cilat mbahen jo më vonë se më 30 nëntor 2026. Përgjegjës për planifikimin, organizimin, mbështetjen financiare dhe menaxhimin e olimpiadave matematike shkollore do të jenë Drejtoritë Komunale të Arsimit.
Komunat ftohen që listën e nxënësve të përzgjedhur për Olimpiadën Matematike të Kosovës ta dërgojnë në adresën elektronike të shoqatës: shoqata.matematikaneve@gmail.com, jo më vonë se më 14 dhjetor 2026.
Secila drejtori komunale e arsimit duhet ta caktojë një person përgjegjës për organizimin e Olimpiadës Matematike Komunale, pastaj të dhënat e personit përgjegjës (emrin, mbiemrin, numrin e telefonit celular ose fiks dhe e-malin) duhet t’i dërgojnë te e-maili i Shoqatës së Matematikanëve: shoqata.matematikaneve@gmail.com (jo më vonë se 23 nëntor 2026).
Secila komunë organizimin e Olimpiadës Matematike Komunale duhet ta bëjë në koordinim me Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës. Shoqata është përgjegjëse për përpilimin e testeve të olimpiadave komunale. Për formën, formatin dhe mënyrën e koordinimit ndërmjet Shoqatës dhe Drejtorive Komunale të Arsimit do t’i informojmë personat përgjegjës të caktuar nga drejtoritë komunale të arsimit.
Në webfaqen e shoqatës https://kms-ks.org/materiale mund të shkarkohen materiale dhe mund të gjenden vegëza interneti për përgatitje. Testet e OMK-së do të bazohen në standardin e arritshmërisë së gjimnazit, drejtimi shkencor, të klasës përkatëse si dhe në testet e ngjashme të Olimpiadave Matematike Ndërkombëtare.
Testet përzgjedhëse parashihen të mbahen në këto data:
– Testi përzgjedhës për EGMO 2027 (EGMO TST) më 20 shkurt 2027.
– Testi përzgjedhës për EMO 2027 (EMO TST) më 6 mars 2027.
– Testi përzgjedhës për IMO 2027 (IMO TST) përgjatë dy ditëve, më 27 dhe 28 mars 2027.
Datat e rëndësishme:
– 23 nëntor 2026 – data e fundit për t’i dërguar emrat e koordinatorëve për olimpiada komunale.
– 30 nëntor 2026 – data e fundit për t’i organizuar garat shkollore.
– 5 dhjetor 2026 – garat në komuna – Olimpiada Matematike Komunale.
– 16 janar 2027 – OMK 2027.
– 20 shkurt 2027 – EGMO TST 2027
– 6 mars 2027 – EMO TST 2027
– 27 dhe 28 mars 2027 – IMO TST 2027.