KAMO

Olimpiada Matematike Kosovë – Shqipëri

Olimpiada Matematike Kosovë – Shqipëri (ang. Kosovo and Albania Mathematical Olympiad – KAMO) është një olimpiadë e përbashkët e dy shteteve shqiptare: Kosovës dhe Shqipërisë, e cila ka për qëllim mbështetjen e talenteve të rinj shqiptarë që kanë prirje për matematikë.

Olimpiada Matematike Kosovë – Shqipëri është projekt i përbashkët i dy shoqatave shqiptare të matematikës: Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës (ShMK) dhe Shoqatës Shqiptare të Matematikës (ShShM). Në këtë olimpiadë kanë të drejtë të marrin pjesë, në cilësinë e mysafirëve, edhe nxënësit shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora. Prandaj, kjo olimpaidë ndryshe mund të quhet edhe Olimpiada Mbarëkombëtare e Matematikës.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Matematikës janë dakorduar që në kuadër të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë të fillojnë me një olimpiadë të përbashkët të matematikës për nxënësit e klasave VII-IX. Olimpiada do të jetë tradicionale dhe do të organizohet për çdo vit. Viteve në vijim, në Olimpiadën Matematike Kosovë-Shqipëri, synohet që të marrin pjesë edhe nxënësit e klasave X-XII.