Kosova fiton një Medalje të Argjendtë dhe një Medalje të Bronztë në IMC 2020

Përfundoi me sukses Olimpiada e 27-të Matematike Ndërkombëtare për Studentë – IMC 2020, e mbajtur virtualisht për shkak të pandemisë COVID-19. Ekipi i Kosovës fitoi një Çmim të Dytë (Medalje të Argjendtë) dhe një Çmim të Tretë (Medalje të Bronztë).

Studenti i Departamentit të Matematikës në Universitetin e Prishtinës Fiton Hoxha ka fituar Çmim të Dytë (Medalje të Argjendtë) me 25 pikë, ndërsa studenti tjetër i Departamentit të Matematikës Erion Hamiti ka fituar Çmim të Tretë (Medalje të Bronztë) me 20 pikë.

Mirënjohje Nderi kanë fituar studentët: Monika Bunjaku dhe Duart Nishefci.

IMC është ndër garat më të rëndësishme botërore të matematikës për studentë universitarë, në të cilën marrin pjesë studentë nga universitete prestigjioze nga të gjitha anët e botës.

Po ashtu, për herë të parë, një detyrë e Olimpiadës IMC është propozuar nga ekipi i Kosovës.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e uron dhe e përgëzon Ekipin e Kosovës për suksesin e arritur dhe për përfaqësim të denjë të shtetit të Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës në këtë olimpiadë prestigjioze!

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës mbetet e përkushtuar të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që ka në dispozicion për t’i mbështetur të rinjtë e talentuar në fushën e matematikës.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës,
Prishtinë,
më 30.07.2020